#qen pa dhëmbë
Explore tagged Tumblr posts
Text
Tre poezi nga Alban Tufa
***
Sikur të na qe e krejt kjo një lojë,
gjithfarë lloj shtrige do merrej për zojë,
por fatit iu dha, o, e kurdisi vetë
ajo çka shpërfaqet, na është realitet.
Trasuar me takt përmbi tonat ide
çdo thënie e vjetër, na shemb një të re.
Të gjendur në vrik, të kapur gafil
shkëndijë e interesit na ndez si fitil.
Të shpushim, rrëmojmë, nëpër imagjinatë
cila lloj fete nuk duhet ngrënë e thatë?
Me mjaltin e prirjes, me vajin e dashjes
sheqerin e dukjes, me gjalpin e trashjes
lyejmë çdo kore, veç kurrë atë që duhet,
ngase ndryshohet gjithçkaja që shkruhet.
Të gjithë kurdisim sakaq nga një rrenë
dikush për të vjetrën, dikush për të renë.
Tiranë
Janar 2023
SHQIPËRIA
Shqipëria ka gjasë me qenë ëndërr
kundruar me sytë që kanë hupë
në delir. Ka gjasë me qenë zhgjëndërr
qëmtuar prej meje me lupë.
Të drejtë mund të kenë ata,
dhe unë të drejtë të kem mund,
ëndrrat që varëm në hava
dikush iu vu flakën përfund.
Ka gjasë që Shqipëria me qenë lopë-
kush mundet sisët ia mjelin.
Veç rrëmojnë dhe hapin - çdo gropë
na e shesin si gjoja themelin.
Ndërsa gropat e shtiruna themel
i hëngrëm dikur për djathë,
i hamë tash çdo mbrëmje reçel
vetet gërbulun nën trastë.
Ka gjasë Shqipëria me qenë tokë-
me mend - thonë e shqiptarëve,
por s’del burrë nëne të thotë:
Çka mbeti, çka vlen prej të parëve?
Siç duket ne pritjet i mbollëm,
në fushat edhe kodrat e vdekuna
me ngut dhe me tutë, sall tash korrëm
kashtat, kallinjtë e papjekuna.
Ka gjasë na i mbollën me hile
ka gjasë ta kenë pasur me plan
tash na përballin kastile
popullin, këtë dallgë-oqean.
Shqipëria ka gjasë me qenë makth
që gjumit të vjen pa taktikë,
të trand, të zverdh, të pataks
sikur të qe qëndisur me frikë.
Të vjedh dhe e vjedh aq sa mund.
Të rren dhe e rren sa të jepet.
Shqipëria janë njerëzit. Në askund
të çon rruga me gjithë përpjekjet.
Tash makthin e këmbejmë me fjalë
e rrisim me rrena, me vjedhë.
E mbajmë si vajzë, si djalë,
të shkuarën që vetë kemi vjellë.
Shqipëria doemos është gjithçka
që mundet ta marrim-t’na japë
mundet me qenë dhe asgjëja
e kthyer rikoshetë te ne prapë.
Tiranë
28 nëntor 2023
RIKTHIM NË FSHAT
Kthehem fshatit mbrëmjes vonë
një trokth prej kali ç’po gjëmon
nga përtej shpatit në përrua,
sikur po ngutet veç për mua,
sikur po ngutet e diç bërtet:
“Ah sa me dalld’ ky vend të pret!”,
por kur ky trokth në sy mu dha
asgjë me dije nuk më la.
I pa vënë re ngela si send,
nata të pret në fshatin tënd,
i thashë vetes i zënë ngushtë:
“nëpër mëhallë të njeh gjithkush”.
Dhe në mëhallë kur vura këmbë,
nisën qentë të grijnë nën dhëmbë.
Një me të lehura si në vaj,
një me të forta nën çataj,
të vënë nën rresht - polifoni-
ashpër më lypin llogari:
pse vjen kaq vonë, pse po na tut,
pse po na ngjan si një hajdut?
I pa vënë re e i padukë,
rrëshqita këmbas nëpër rrugë,
në maj të gishtave me ngut
më bëhej sall vetja hajdut.
E në oborr të shtëpisë amë
ku hodha shtat prej se bërthamë
të parin çast që hodha këmbë
u shfaq një qen çataj e dhëmbë
duke më bërë sakaq me dije
se prej meje s’kish mbetë as hije
mbetë nuk paskësh hije as herë
mungesë e thellë sa një humnerë.
Çka kisha patur nuk më përkiste,
diç nga përbrenda më ulëriste.
Në kor me qentë e gjithë katundit
kërkoja marrtas kujtimet e fundit.
Peshkopi
Shtator 2023
1 note
·
View note